Autorët

Ag Apolloni (1982) është shkrimtar, studiues dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Ka botuar veprat: Zomb, Ulurima e ujkut, Zazen, Hamleti simbas Horacit, Mesjeta ime, Sandalet e Senekës, Një fije shprese, një fije shkrepëse etj. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë shpërblyer me disa çmime.   

Filip Papajani lindi në Elbasan më 1878 dhe vdiq në Pogradec më 1945. Në vitin 1921, Papajani themeloi dhe botoi gazetën e përjavshme Shkumini, me shtojcën për letërsi Shkumini letrar, ku trajtonte tema të iluminimit nacional dhe emancipimit modern. Gjithashtu, shkroi libra me poezi, prozë, drama, ese dhe autobiografi, shumica prej të cilave mbetën në dorëshkrim. Veprat e tij më të njohura janë: Osman – Marija (1913), Moisi Golemi (1928), Bardhushi, letra atdhetare (1930), Fatbardhi (1934) dhe Proka (1936).

Primo Shllaku (1947) është poet, prozator, dramaturg dhe eseist. Është autor i tre vëllimeve poetike: Lule nate (1994), Hana e njelmët e ditës (1995) dhe Edhe fjalët shkojnë në ferr (2005); një vëllimi me tregime, Muzikantët (2017), një monografie, Nji Uliks që s’mbërriti kurrë në Itakë (2006), dhe i një libri me drama, Aktorë pa kujtesë (2019). Gjithashtu, ka përkthyer Shatobrianin, Bodlerin, Kafkën, Sartrin, Todorovin etj.

Luigi Pirandello (1867- 1936), dramaturg modern, reformator i teatrit në aspektin skenik dhe dramaturgjik, prijatar i teatrit të absurdit, që nga mosha 12 vjeçare, kur shkroi tragjedinë e parë, nuk pushoi së shkruari e së provokuari deri në moshën 69 vjeçare, kur vdiq në vetmi, në shtëpinë e tij në Romë, po atë ditë që u bënë dy vjet nga pranimi ceremonial i çmimit Nobel. Ndër dramat më të njohura të tij janë: Gjashtë personazhe në kërkim të autorit, Budallai, Epilogu, Shartimi, Rregullat e lojës, Njeriu, bisha dhe virtyti, Kështu është, nëse ju pëlqen etj.  

Miguel de Unamuno (1864-1936), poet, dramaturg, prozator, eseist dhe filozof spanjoll, ka qenë profesor i letërsisë antike greke dhe i letërsisë klasike në Universitetin e Salamankës, ku, gjithashtu, është emëruar dy herë rektor dhe, për mosbindje, është shkarkuar, së pari, më 1924, nga diktatori Miguel Primo de Rivera dhe, së dyti, më 1936, nga diktatori Francisco Franco. Unamuno njihet si një ndër shkrimtarët, filozofët dhe intelektualët më të mëdhenj të shekullit XX. Ai ka shpikur një zhanër të ri (nivola), në të cilin i ka shkruar veprat e tij më të famshme: Mjegulla (1914), Jeta e Don Kishotit dhe e Sanços (1914), Abel Sançez (1917), Shën Manuel Bueno, martir (1930) etj.  

Ylber Hysa (1965) është historian, publicist dhe diplomat. Vepra e parë e tij, Shqiptarët dhe të tjerët (2009), është cilësuar ndër veprat më origjinale të historiografisë shqiptare në dekadat e fundit. Po ashtu, vlerësime të larta ka marrë edhe libri i dytë, Madona e Zezë në Kosovë: ndërmjet Dea Dardanicas dhe Kundër-Reformacionit (2019). Gjithashtu, Ylber Hysa ka botuar studime në revista prestigjioze të botës dhe në libra të ndryshëm si bashkautor, përfshirë edhe librin me Ismail Kadarenë, Ballkani i jugut (2001). Është punonjës shkencor në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë. 

Blerim Shala (1963) ka studiuar Filozofi dhe Sociologji në Universitetin e Prishtinës, dhe ka botuar mbi dhjetë vepra letrare dhe publicistike, si: Strehimore letre, Urat, Çasti i Amshueshëm, Jeta e vdekjes: mëngjesi, mesdita, mesnata, Libri i fitores, Shteti i shkelur etj. Gjithashtu, ka drejtuar gazetën Zëri dhe revistën Sheshi, si dhe ka realizuar një seri intervistash me intelektualë të njohur si: Jean Baudrillard, George Steiner, Edgar Morin, André Glucksman, Pascal Bruckner, Alain Finkielkraut etj.

Stefan Çapaliku (1965) është prozator, poet, studiues, dramaturg dhe regjisor. Ka doktoruar për letërsi dhe ka punuar si profesor në Universitetin e Shkodrës, pastaj në Universitetin e Tiranës, ndërsa nga viti 2005 punon si studiues në Akademinë e Studimeve Albanologjike. Krijimtaria e tij është përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, polonisht, turqisht, rumanisht, serbisht, maqedonisht etj. Ndër veprat më të njohura të tij janë: Secili cmendet simbas mënyrës së vet, Mbyllur për pushime, Allegretto Albania etj.

Donika Dabishevci (1980) është poete dhe studiuese. Ka doktoruar për letërsi, ka punuar si profesoreshë, po ashtu edhe si redaktore në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ndërsa nga viti 2018 drejton portalin kulturor Observerkult. Ka botuar tre libra me poezi dhe një libër studimor. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, italisht, gjermanisht, serbisht etj.

Ledia Dushi (1978) është poete, studiuese dhe përkthyese. Ka doktoruar në Etnologji dhe ka punuar si profesoreshë universitare brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar katër libra poetikë. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht etj.

Lindita Ahmeti (1973) ka studiuar Filologji klasike në Universitetin e Shkupit, si dhe ka botuar disa libra poetikë. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë përfshirë në disa antologji.

Manjola Brahaj (1986) është poete, studiuese dhe përkthyese. Ka doktoruar për letërsi në Universitetin e Tiranës dhe është profesoreshë në UBT. Ka botuar tre libra me poezi dhe një studim monografik. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht etj.

Ilire Zajmi (1971) është shkrimtare, studiuese dhe gazetare. Ka studiuar për drejtësi dhe ka magjistruar për gazetari. Punon në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Ka botuar libra të zhanreve të ndryshme. Krijimtaria e saj është përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, italisht, frëngjisht, portugalisht etj.

Orjela Stafasani është studiuese dhe përkthyese e letërsisë. Ka kryer studimet bachelor dhe master për letërsi në Universitetin e Tiranës, dhe studimet master për Projektim dhe Menaxhim të Multimedias për Komunikim në Universitetin e Torinos, në Itali. Në vitin 2018 ka doktoruar për letërsi në Akademinë e Studimeve Albanologjike, në Tiranë. Ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra të shkrimtarëve të njohur botërorë si: Unamuno, Lorca, Pirandello, Pavese, Borges, Sabato, Vargas Llosa etj. Është autore e librit studimor Metamorfoza e autorit dhe redaktore në revistën Symbol.  

Paul Valéry (1871-1945), shkrimtar dhe filozof francez, ka shkruar vepra të zhanreve të ndryshme, që kanë ushtruar ndikim te shumë shkrimtarë dhe intelektualë të mëvonshëm. Njihet për poezinë simboliste, për stilin e rafinuar, esetë filozofike dhe romanet Zoti Teste dhe Varreza detare.

Dritan Dragusha (1980) ka kryer studimet bachelor dhe master për filozofi në Universitetin e Prishtinës. Është kolumnist i rregullt në platformën online sbunker.net, autor dhe moderator i emisionit Prizma në televizionin T7 dhe redaktor në revistën kulturore Symbol

Danillo Kish (1935-1989) vlerësohet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj postmodernë. Pas polemikave të gjata e të rrepta me kritikët serbë, që, duke mos e kuptuar modelin postmodern, e kritikonin Kishin për plagjiaturë, ai e la Beogradin më 1979, për t’u vendosur përfundimisht në Paris. Veprat e tij janë: Një varr për Boris Davidoviçin, Mësimi i anatomisë, Psalm 44, Enciklopedia e të vdekurve, Klepsidra etj. Danillo Kish është vlerësuar lart nga emrat më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore në botë, si Milan Kundera, Philip Roth, Joseph Brodsky, Susan Sontag etj. Romani i tij i parë, Mansarda, u shkrua në vitin 1960 dhe u botua më 1962. 

Arben Prendi, shkrimtar dhe studiues, mban titullin Doktor i Shkencave Letrare dhe punon si profesor në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër. Ka botuar librat: Të shtunën ndize një qiri (1996), Vashat nguten me u ba gra (1998), Qirinj të ndezun për të gjallët (2001), Tekste në kontekste (2011), Letërsia shqipe bashkëkohore (2015) etj.

Ridvan Dibra (1959), prozator, dramaturg, poet dhe profesor universitar, është autor i shumë veprave në zhanre të ndryshme. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë shpërblyer me disa çmime. Ndër veprat më të njohura janë: Nudo, Legjenda e vetmisë, Në kërkim të fëmijës së humbur, Gjumi mbi borë, Dashuritë e virgjëreshës Madalenë etj.

Shopping Cart