Ag Apolloni: DITË E RE SI SFIDË E RE

(Nikos Chryssos, Ditë e re, Toena, 2021. Përktheu nga greqishtja: Maklena Nika)

Kur flasim për një libër të një autori grek, nuk mund ta shmangim faktin se po flasim për një autor që vjen nga një kulturë me rrënjë të thella. Përveç kolosëve të antikitetit (nga Homeri deri te Euripidi), edhe moderniteti grek nxori shkrimtarë që vulosën epokën e tyre, si Konstandin Kavafis në poezi dhe Nikos Kazantzakis në prozë, apo edhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenj si: Kostís Palamás, Giorgos Seferis, Yiannis Ritsos, Odysseas Elytis etj. Shkrimtarët grekë, antikët dhe modernët, vazhdimisht janë përkthyer dhe pëlqyer nga shqiptarët. Kultura ka qenë një përhershmëri përbashkuese e tyre. Të bashkuar i gjejmë edhe në romanin e Nikos Chryssos, Ditë e re, ku grekët dhe shqiptarët jetojnë në një mjerim social.

Tema (gr. thema) është ajo për të cilën flitet, pra është lënda e romanit. Ditë e re, tekst diegjetik i strukturuar sipas paradigmës postmoderne, fokusohet në pjesën e margjinalizuar të shoqërisë. Ky roman i sjell në qendër ata që gjithmonë kanë qenë në margjina: lypësit, të pastrehët, shitësit e paligjshëm, hajdutët, prostitutat, narkomanët, përdhunuesit, vrasësit etj. Ata kalojnë natën dhe jetën nëpër stacione të ftohta, autobusë të prishur, ndërtesa të parenovuara, kosha plehrash, ahure, sheshe, parqe dhe limane. Natën mbulohen me batanije të pista, me gazeta, e shpesh flejnë pa shtrojë e mbulojë.

Ngjarja vendoset në një qytet grek, ku mbi 20 000 qytetarë janë të pastrehë dhe ku një në tre prej tyre shfaq çregullime psikike, ndërsa shumë e madhe është përqindja e atyre që vuajnë nga probleme shëndetësore kronike. Një vend i tillë shndërrohet në arenë për ekzistencë. Dikush mund t’i shohë vetëm si njerëz që shullëhen e mrizojnë, por ata janë aty nga halli; ata kanë braktisur identitetet kombëtare dhe përpiqen të gjejnë zgjidhje ekzistenciale. E, i urituri primar e ka qëllimin, jo mjetin. Secili prej tyre ka një histori dhe një karakter, ndërsa dinjiteti dhe nderi janë luks për ta.

Nëpërmjet kësaj teme, kuptohet edhe funksioni aristotelian i veprës. Nëpërmjet frikës dhe mëshirës, romani shkakton katarsis te lexuesi. Frikë, sepse në një gjendje të tillë mund të përfundojë secili prej nesh; mëshirë, sepse jemi njerëz dhe na dhimbsen të ngjashmit tanë, dhe katarsis, për shkak të ndërveprimit të këtyre dy ndjenjave brenda nesh.

Pra, romani përqendrohet në jetët e margjinalizuara mbi të cilat kërkon të reflektohet. Kjo intencë, qoftë e autorit, qoftë e veprës, flet për një funksion që, varësisht nga cili kënd shihet, mund të definohet si terapeutik, ideologjik, apo humanist.

Autori e ka ndërtuar veprën si tekst me enigmë, ku pas krimit, nis hetimi. Sebastiani, personazhi që jeton për të treguar, një ditë përfundon duke u djegur për së gjalli në një parking automobilash. Pas këtij akti të pazakontë, nis dyshimi dhe hetimi. Gjetja e fajtorit nënkupton gjetjen e katrorit të fundit të puzzle-it. Kur arrijmë te kapitulli “Arkivi i Pavllos”, linja semantike është afër zgjidhjes, mirëpo vetëm në artikullin e gazetës E vërteta, të vendosur në fund të librit, ajo linjë merr fund, dhe leximi sipërfaqësor mbyllet. Por, është pikërisht ai artikull që e riaktivizon lexuesin e linjës semiotike, duke e detyruar të kthehet në fillim, t’i kërkojë shenjat nëpër trup të tekstit dhe ta kuptojë ironinë e lojës autoriale.

Si roman që mban relacione intertekstuale me Emrin e trëndafilit (Eco), Unë jam e kuqja (Pamuk), apo Ndjesia e një fundi (J. Barnes), Ditë e re është një nyje brenda një rrjeti referencash nga gazetaria, jurisprudenca, filozofia, religjioni, shkencat dhe artet, me theks të veçantë te muzika dhe letërsia. Romani është i mbushur me lajme gazetash, me raporte gjyqësore, me aludime në tekste filozofike, me citate biblike, me fragmente shkencore, me komentime mbi muzikën rok dhe me lidhje të ndryshme me tekstet e shumta letrare dhe kritike. Shumësia e zërave narrativë, diskursi brikolar dhe prania e intertekstit, këtë vepër e bëjnë roman polifonik. Aty herë vetëm përmenden, herë komentohen e vlerësohen artistë si: Rembrandt, Arcimboldo, Van Dyck, Holbain, Velazquez, Picasso, Schiele, Chagall, Bacon, apo Miles Davis, Jim Morrison, Kurt Cobain, Lou Reed, Dave Grohl, JJ Cale, Jimi Hendrix, Gallagher etj.

Për shkak të modelit me enigmë që i përmbahet, ky roman shfaq një lojë interesante edhe në mënyrën e strukurimit të universit diegjetik, ku po s’u kuptua enigma e krimit dhe teknika e krijimit, rrezikon të mos identifikohet statusi i narratorit në roman, në tërësi, dhe në kapituj, në veçanti. Nofkat e personazheve janë maska ku ata fshehin identitetin e tyre. Dhe një personazh (Pavllo) që na duket jo shumë i rëndësishëm në roman, na del në fund si çelës i krejt rrëfimit, për ta lënë të hapur ballafaqimin mes narratorit heterodiegjetik dhe homodiegjetik, nëpërmjet lojës së të ashtuquajturës poioumenon.

Vetëm pasi ta mbarojmë romanin, e kuptojmë se çfarë fshihej pas këtij dialogu ku Teo i drejtohet Sebastianit:

Sa keq që nuk vendos të shkruash, – i thashë.
Por jam duke shkruar, – m’u përgjigj.

Sebastiani është strumbullari i storjes. Në fillim, të gjithë mblidhen rreth tij kur ai nis të tregojë histori. Pastaj, kur ai s’është më, të tjerët përpiqen ta kthejnë në jetë duke i mbajtur mend historitë e treguara prej tij. Pra, ai e kultivon rrëfimin, të cilin shokët e tij e trashëgojnë për të mos e lënë mikun e tyre të harrohet e të vdesë përfundimisht. Nëpërmjet Sebastianit, autori sikur jep një alternativë në lidhje me konstatimin e Todorovit që, duke analizuar përrallat Një mijë e një net, thotë se mungesa e rrëfimit do t’i sillte vdekjen Sheherzades. Sebastiani jeton edhe pas vdekjes me përrallat e tij. Sepse, siç përsëritet disa herë në roman, kujtesa është mallkim, një mallkim që, në këtë rast, e mban në këmbë të vdekurin. Po kësaj jete të pasvdekjes i ndihmon sidomos Pavllo, demiurgu i maskuar i rrëfimit i cili kur heq maskën në fund, e kuptojmë se na ka shoqëruar nga fillimi.

Peronazhet që kanë probleme me ligjin janë të gjithë me nofka: Horrori, xhuxhi, Lucky, Markoni, Jani, Teo, Johann Sebastian Bach. Të gjithë janë me ëndrra të thyera. Dikush ish-tregtar tekstili, një tjetër radiotelegrafist. Prandaj, sa për ta kaluar kohën, sa për ta kaluar jetën, stisin histori, tregojnë aventura erotike, mblidhen në rreth kur plas sherri dikund dhe shikojnë, ikin kur dëgjojnë sirenën e policisë, flasin gjithë jetën në gjuhë të huaj, por vetëm kur shajnë, i tradhton gjuha, si rasti i shqiptarit ilegal që shtiret italian, por, kur bëhet nervoz, shan shqip. Jetët e tyre zymtohen edhe më shumë kur dëgjojnë sesi njëri nga ta ka varë veten në pemë, tjetri është djegur, një të tretë e kanë therur në gjumë, pastaj që njërin që flinte në kosh e ka bluar makina e plehrave, që dikujt ia kanë nxjerrë zorrët me thikë, apo kur dëgjojnë se si një vajzë e mitur var veten sepse ka turp të shkojë në shtëpi pasi është përdhunuar nga disa djem. Por atyre iu bie të njihen edhe me tipa si Kafexhiu që për të mos e prishur betimin që ia ka bërë vetes se nuk do të pijë paradite, zgjohet në orën gjashtë dhe shtyn akrepat e orës në 12, që t’i shkojë beja në vend, apo si Pavllo që te varri i gruas së vdekur çon lule të vjedhura, apo si një lypës që largohet duke bërtitur “zoti është i vdekur dhe torba ime e zbrazët”. Në krejt këtë mishmash, mes emrave grekë, italianë, spanjollë, shfaqen edhe emra shqiptarë si Luan, Artan, Rezarta, Mërgim, Korab, Jetmir, Ylli, Besiana, Liridona, Flutura etj., apo edhe emra vendesh si Kosova, Tetova e Pogradeci. Autori ka një qëndrim dashamirës ndaj shqiptarëve, të cilët i portretizon si njerëz që vdesin duke mbrojtur të dobëtin, si shqiptari Markon që vdes duke mbrojtur pakistanezin Malik.

Të pastrehët e ndajnë botën në dy kategori: ata që rrinë brenda janë të nginjurit, këta jashtë janë të uriturit. Ata brenda janë normalë dhe të pastër, këta jashtë janë jonormalë dhe të pistë. Prandaj një personazh konstaton se ky qytet kutërbon, kurse një tjetër thotë: Vitet në rrugë shtatëfishohen, jemi si qentë, një vit njerëzor na shkakton më shumë plagë. 

Nikos Chryssos flet për ata që i ka shkelmuar fati, që iu ka dhënë rrugën. Ai ka një metodë, e vetë fjala metodë në greqisht do të thotë “me gjetë rrugën”. Por, ata (të pastrehët) që kanë gjetur rrugën, në fakt e kanë humbur rrugën. Metoda e autorit ka qenë që ta gjejë rrugën e duhur për të na i treguar fatet e përmbysura të njerëzve të rrugës. Ai me atë metodë ka sjellë një vepër të shkëlqyeshme letrare, me elemente të shumë poetikave aktuale. Romani i tij është voluminoz, dhe kjo mund të jetë një arsye shtesë që lexuesit të lidhen më fortë me fatet e njerëzve të mjerë, të cilët kur zbardh dita, mendojnë se megjithatë ishin me fat që së paku edhe një natë e mundën vdekjen, edhe pse Teo është pesimist, apo realist, kur thotë se vdekja nuk ka kundërhelm.

Ata thonë se parajsa dhe ferri ekzistojnë vetëm nëse të bëjnë të ndihesh më mirë. Prandaj, një nga personazhet që vetëm droga ia bën jetën të durueshme, thotë:

Kur të ikim nga kjo botë, do të shkojmë në një buzëdet ku do të jetë gjithmonë verë, do të pimë birra të freskëta, do të tymosim hashashin më të mirë të botës dhe do të luajmë me kitarë sikur të ishim vetë Claptoni.

Romani Ditë e re, i mbushur me referenca intertekstuale dhe frekuenca narrative, është i ndërtuar me kod të dyfishtë, prandaj edhe e sfidon lexuesin në disa plane: si përgatitje profesionale dhe si qenie humane. Ditë e re është sfidë e re.

Prishtinë, 2 mars 2022

Shopping Cart