Ag Apolloni: TRILLIMI DHE SHPIKJET

Në fëmijërinë time të hershme, të rralla ishin shtëpitë që kishin televizorë me ngjyra, e më të rralla ishin ato që kishin video player. Një shok, babai i të cilit kishte edhe një kafene në lagje, kishte luksin të shihte filmat që donte ai, mjaftonte të shkonte deri në videoklub për të marrë një video-kasetë. Për shkak që kishte frikë t’i shihte filmat vetëm në dhomë, kërkonte shokë dhe, kështu, i shikonim bashkë. Atëherë besonim që aktori më i mirë ishte Arnold Schwarzenegger, sepse ishte më i forti. Te “Terminator 2: Judgment Day”, fëmija që vihet nën mbrojtjen e terminatorit, pas një takimi emocional me nënën e tij, nis e qan. Terminatori, si robot që është, nuk e kupton dhe, duke e parë që fëmijës po i rrjedh diçka nga sytë, duke menduar se mos i është prishur vaji, e pyet se çka është ajo. Fëmija përpiqet t’ia shpjegojë që ne njerëzit kur lëndohemi, na rrjedh vaji, që nuk është vaj makinash, po lot. Natyrisht, terminatori nuk e kupton, dhe nisin aventurat e gjata dhe të rrezikshme së bashku. Në fund, pasi kryen misionin e tij, terminatori duhet të futet në një kazan të madh ku do të shkrihet. Por para se të shkrihet, sheh edhe njëherë lotët e djaloshit që qan për fundin e kësaj miqësie, dhe i thotë: tash e kuptoj pse ju njerëzit qani.

Sot mendoj se kjo ka qenë ideja humaniste e filmit: jo për ta bërë njeriun t’i ngjajë robotit, por për ta bërë robotin ta kuptojë njeriun. Bota është antropocentrike, dhe letërsia dhe artet gjithmonë do ta kenë këtë perspektivë. Ne na përfaqëson fëmija, jo roboti, por duam që të na kuptojë edhe roboti.

Prandaj, përgjatë historisë kemi bërë përpjekje ta lehtësojmë komunikimin.

Shpikja e shkrimit

E dimë që letërsia është gjuhë, por gjuha s’është letërsi. Gjuha ka lindur për arsye praktike, letërsia për arsye estetike. Letërsia vjen pas gjuhës dhe para shkrimit. Evropa nuk përdorte shkrimin, deri në kohën e themelimit të Tebës, kur Kadmi prej Libani i solli shkronjat. Grekët nuk u besonin shkronjave, i konsideronin magji. Natyrisht, dalëngadalë filluan ta kuptojnë se gjuha mund të kthehet në shenja grafike, domethënë në shkronja. Mirëpo, rezistenca ndaj shkrimit u bë për disa shekuj, deri te Sokrati, i cili gjatë gjithë jetës e shpërfilli shkrimin në mënyrë të habitshme, duke mos lënë as edhe një fjali të shkruar. Ne mund të mos na duket vendim racional, por ai filozof përfaqëson racionalizmin etik. Pse veproi ashtu Sokrati? Sepse, sipas tij, shkrimi e shtrembëron mendimin. Ideja ndryshon kur bëhet gjuhë e folur (parole), gjuha ndryshon kur bëhet shkrim. Ideja është imazh, e folura është fjalë, shkrimi është varg shkronjash. Pra, kemi këtë linjë: përfytyrim, tingull, shkronjë. Për këtë raport është diskutuar shumë që nga nxënësi i Sokratit, Platoni, e deri te Derrida, ‘diferanca’ e të cilit e justifikon ankthin sokratian. Edhe sot, gjatë të folurit, shpesh themi ‘më fal, se ndryshe e mendova’. Kjo do të thotë që të folurit kurrë nuk arrin ta bartë mendimin njëqind për qind të saktë. Kur nuk arrin arrin të folurit, merreni me mend sa largohet shkrimi! Këtu dalim te dilemat rreth filozofisë sokratiane të trashëguar nëpërmjet Platonit. Në rastin më të mirë, po e pranojmë se Platoni shkruante ato që i thoshte Sokrati. Por, sa arrinte Sokrati t’i thoshte ato që i mendonte? Mësuesi nuk merrte përgjegjësi për këtë. Rroftë besimi i nxënësit!

Shpikja e shkrimit e ka zbehur rëndësinë e fjalës. Edhe në aspektin praktik. P.sh., nëse shkoni në bankë për të kërkuar një kredi, ju kot ia jepni besën bankës se do t’i ktheni të hollat. Po s’e nënshkruat, askush nuk i beson fjalës suaj. Shkrimi, apo nënshkrimi si akt pajtimi me shkrimin, ka kredibilitet për atë që paradoksalisht quhet kredi, kur veç kredi (besim) nuk është.

Shpikja e letrës

Shkrimi u shpik, por filluan problemet e fiksimit (ngulitjes) të tij. Nëse diçka e shkruajmë në akull dhe e kthejmë kah dielli, s’kemi shpikur asgjë. Prandaj, shkrimi u gdhend e u vizatua në materiale të ndryshme gjatë historisë: papyrus (palcë e drurit), lëvore, baltë, gur, lëkurë, eshtra, lecka etj., deri te shpikja e letrës, në vitin 105 të erës sonë, nga eunuku kinez Cai Lun. Kjo shpikje mandej u përhap nga muslimanët, të cilët mësuan prodhimin e letrës nga të burgosurit kinezë.

Pra, njeriu ka kërkuar vazhdimisht materialin më praktik për ta ruajtur shkrimin, për ta ruajtur traditën. Çdo transformim është pritur me dyshim, e kjo nuk flet për atë mosbesimin tradicional ndaj të resë, sa për nevojën për t’u siguruar në efikasitetin e materialit të ri.

Tashmë mund të thuhet se çdo brez e shfrytëzon traditën nëpërmjet materialit të kohës së tij, çka do të thotë se ne nuk e lexojmë Librin e të vdekurve në papirus, as Epin e Gilgameshit në pllaka argjili; të gjitha i lexojmë në letër dhe në gjuhët e gjalla, kryesisht në gjuhën amtare dhe në ndonjë gjuhë tjetër, si pasojë e shembjes së Kullës së Babelit.  

Shpikja e shtypshkronjës

Kina, e cila e shpiku letrën, u kujdes që ta shpikte edhe mjetin për shtypin e shkrimit. Kështu, rreth 100 vjet pas letrës, pra në vitin 200, e shpiku makinën për shtyp, e cila 12 shekuj më vonë do të shfaqej në një formë shumë më të avancuar dhe do të njihej si shtypshkronja e Gutenbergut (1440). Me zbulimin e kësaj makine, që konsiderohet revolucion teknologjik, filloi edhe epoka e modernitetit evropian. 115 vjet më vonë del në dritë libri i parë shqip, Meshari i Gjon Buzukut. Në këtë kuptim, krejt letërsia shqipe është moderne.

Shpikja e shtypshkronjës e ka përshpejtuar përhapjen e teksteve, rrjedhimisht edhe të ideve. Me kalimin e shekujve, librat u bënë të qasshëm për të gjithë dhe ndikues te të gjithë. Shpesh nëpërmjet fletushkave dhe broshurave u përshpejtuan ndryshime politike dhe u shkaktuan revolucione. Shkrimi, apo libri, u bë mjet efektiv, ai i transformonte njerëzit nga brenda. I ndriçonte dhe i rebelonte, e nganjëherë edhe i manipulonte.

Sidoqoftë, me shpikjen e shtypshkronjës një gjë ishte e sigurtë: nga ai moment, e vërteta do të ishte shumë e vështirë, ndoshta edhe e pamundur, për t’u ndaluar. Natyrisht, shtypshkronja ishte neutrale ndaj shkrimeve, pra shtypte art, filozofi, shkencë dhe propagandë, por ajo u pa sidomos si një armë në duart e të diturve. Mekanizmi i shtypshkronjës e përshpejtoi modernizimin e jetës.

Shpikja e makinës së shkrimit, apo edhe e kompjuterit nuk e ka zëvendësuar ende shtypshkronjën. Ne shkruajmë në kompjuter (laptop), por librat i shtypim në shtypshkronjë.

Revolucioni i dytë, pas atij të shtypshkronjës, është interneti.

INTERNETI

Në ndonjë rast tjetër mund të ndalemi te origjina e internetit, por këtu mjafton të kujtojmë që interneti, në formën e tij të avancuar, po i sfidon dy shpikjet e mëdha: letrën dhe shtypin. Tashmë miliona libra janë të qasshëm në formë elektronike, që ne mund t’i lexojmë pa i shtypur. Brezat e shekullit 21, nuk e kanë të domosdoshme letrën, përveç në ato vende ku nuk u duhet për lexim. Ata lexojnë libra elektronikë, bëjnë nënvizime në tekst, shkruajnë në margjina, dhe e ruajnë tekstin me të gjitha shenjat e leximit të tyre. Leximi i tyre, por edhe shkrimi në raste të shpeshta, është ekologjik: e shpëton shtëpinë nga pluhuri dhe ngufatja, e po ashtu e shpëton natyrën nga prerja e pyllit. Pra, që në fillim, libri nis me një ndjeshmëri ndaj shëndetit dhe natyrës.

Unë ende jam prej atyre lexuesve që përqindjen më të madhe të leximit e kanë nga librat fizikë, jo elektronikë. Por, kjo nuk do të thotë që në të ardhmen, leximi im të mos përpjestohet në mënyrë të barabartë mes të dy formave të librit.

Natyrisht, ne të lindurit në shekullin e kaluar jemi paksa nostalgjikë me kulturën e inventarizimit të librave fizikë. Na vjen pak marre kur na shohin në telefon, në Ipad, ose laptop, se mund të japim idenë sikur po e çojmë kohën kot, sado që edhe në ato mjete mund të jemi duke lexuar ndonjë libër a tekst me rëndësi.

E ardhmja e librit

Thonë se Aleksandri i Madh ngado që shkonte mbante me vete shpatën dhe Iliadën. Kjo është shumë domethënëse. Njeriu që bënte historinë me shpatë, e shijonte sublimimin e historisë në Iliadë. Kjo do të thotë që ajo figurë kolosale udhëhiqej nga modelet letrare. Nëse e thjeshtëzojmë krejt, i bie që nuk mund dhe nuk duhet të jetë prijës dikush që nuk lexon. Burimi i dijes është libri, që absorbohet nëpërmjet leximit. Nuk mund të jesh i dijshëm nëse nuk lexon. E njeriu i padijshëm, është njeri i rrezikshëm, njeri që s’di të bëjë mirë, sepse nuk e di çka është e mira dhe si mund të bëhet ajo, do të thoshte mësuesi i Aleksandrit.  

Nëse e pranojmë që koha është ciklike, atëherë s’kemi pse të befasohemi që jemi duke u kthyer aty ku u nisëm: te forma primitive e absorbimit të letërsisë. Audiobooks-at flasin në favor të kësaj. Letërsia ka filluar të dëgjohet. Të rinjtë në vende më të zhvilluara kanë nisur ta pyesin njëri-tjetrin: a e dëgjove romanin e ri të Murakamit? Sa libra i ke dëgjuar? Ose: më falni që po i vë kufjet, por duhet ta dëgjoj një libër, se nesër kam provim.

Pra, ‘lexuesi’ i tashëm, por sidomos ai i ardhshëm, është edhe dëgjues. A është kjo një sfidë për shkrimin, në favor të të folurit? S’e besoj, se megjithatë po regjistrohet si audio një libër i shkruar. Pra, e ardhmja e librit, pavarësisht ku shkruhet e si shkruhet, nuk po rrezikohet, por po pasurohet. Dikur, Iliada dëgjohej. Ndërsa ka disa shekuj që Iliada lexohet. Nesër Iliada do të lexohet dhe dëgjohet. Pra, letërsia nuk po e humb lexuesin, por po e fiton edhe dëgjuesin. Ajo është një drogë e dijes që merret me vesh nga disa, e që ua skuq sytë të tjerëve. Unë marr drogë ditën dhe natën. Është një drogë që më shpëton nga realiteti. A e quajmë këtë drogë: kanabis, kokainë, heroinë, serotoninë, opium, hashish, marihuanë, apo thjesht letërsi, kjo s’ka rëndësi. Vetëm fillestarët e marrin drogën me hundë, ne të tjerët e marrim me sy e me vesh.

Për fund, një rast nga përvoja.

Një herë, pata parë një profesor, që për çdo shkrim që gjente në google për një shkrimtar të njohur, e shtypte butonin print. Ai njeri e djersinte printerin. Nuk rrija dot pa e pyetur: pse i shtyp gjithë këto materiale? Më tha: Le të jenë këtu në tavolinë, se teknologji është kjo, s’i dihet, nesër fshihen.

Është e vërtetë që shumë shkrime fshihen, shumë platforma shlyhen, shumë portale mbyllen, por tashmë printimi i gjithçkaje që gjejmë në google, nuk më duket zgjidhje. Ne duhet t’i besojmë teknologjisë, siç i besojmë ilaçeve që pijmë, edhe kur ato shoqërohen me efekte anësore.

(Kjo ligjëratë u lexua më 15 shkurt 2022, në KultPlus, si pjesë e diskutimit “Letërsia dhe teknologjia” në kuadër të projektit “Letërsia në kohë pandemie” të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës)

Shopping Cart