Ag Apolloni: NJERIU QË DINTE GJITHÇKA

Në parathënien e librit International Postmodernism, Hans Bertens thotë se nuk ka një certifikatë për vdekjen e postmodernizmit (1997: 3). Por, mund të shtohet se, nëse stalinistëve të letërsisë u duhet një e tillë, atëherë le t’u jepet kjo: 19 shkurt 2016, dita kur vdiq njeriu që dinte gjithçka.

Eco

Librat flasin me njëri-tjetrin, thoshte Umberto Eco, i cili u shfaq me roman në kulmin e postmodernizmit, pikërisht atëherë kur po ziente debati për këtë fenomen.

Dija enciklopedike dhe forma kaleidoskopike janë veçori jo vetëm e Emrit të trëndafilit, por edhe e gjashtë romaneve të tjera të tij: Lavjerrësi i Fukosë, Ishulli i ditës së djeshme, Baudolino, Zjarri i fshehtë i mbretëreshës Loana, Varreza e Pragës dhe Numri Zero, të cilat me referencat e panumërta që kanë brenda, janë parajsa letrare për studiuesit që fokusohen në lidhjet intertekstuale. Shpesh veprat e tij janë krijuar si lojë shenjëzuese me zhanre dhe forma, si memoaret, fejtonet, ditarët etj., por mbi të gjitha si aventura të gjata artistike mbi materiale të shumta letrare dhe dokumentare. Këto proza janë miniera kuptimesh, simbolesh, referencash, aq sa shpesh vetëm një paragraf i tyre mjafton për të bërë një monografi.

Echo

Eco ishte akronim i frazës latine ex caelis oblatus (dhuratë prej qiellit), por që mikes së tij, Linda Hutcheon, ia kujtonte jehonën (echo), ndoshta për arsye se çdo vepër e tij vinte si jehonë e kohëve të mëparshme, e zërave të lashtë, duke bërë një lidhje mes kohëve. Eco erdhi me një roman Postmodern për Mesjetën, e cila ia kishte frikën Antikës. Ironia tek ai ishte jehonë, lidhje, shkelje syri. 

Ego

Njerëzit janë lodhur nga gjërat e thjeshta; ata duan të sfidohen, thoshte Eco në kohën kur askush nuk po arrinte ta kuptonte sesi një roman rraskapitës si Emri i trëndafilit ishte kthyer në bestseller botëror. Është mit i botuesve që njerëzit duan të lexojnë gjëra të lehta, kishte thënë ai dhe, me ironinë e tij tipike postmoderne, kishte shtuar: Nëse dikush e blen librin tim sa për ta kaluar kohën, unë këtë e quaj taksë për idiotësinë e tij.

Erudicioni është pika e fortë e romaneve të Eco-s, i cili ndërton një rrjet semiotik brenda strukturës narrative dhe luan me lexuesin. Ai pak argëton dhe shumë argëtohet. 

Duke qenë që herët një enfant prodige (siç e quan Vattimo), pastaj një erudit i pashoq, ai nuk mund ta fshihte egon e tij e cila nuk ishte narcistike, por enciklopedike dhe si e tillë s’mund të mbulohej nga modestia dhe nga shtirje të tjera. Më 2016, ai pushoi së qeni person i dijshëm, për t’u kthyer në simbol të dijes. Dhe, derisa bashkëkombësi i tij fiorentin e mbylli Mesjetën me alegori, piemontezi e mbylli postmodernën me ironi. 

Sot mund të thuhet se postmodernizmi doli në pension në vitet ’90, ndërsa vdiq më 2016.

Emri i Zotit

Eco deri në moshën 48 vjeçare njihej vetëm si studiues. Por, kur më 1980 botoi romanin e parë, ai jo vetëm që u fut me sukses edhe në prozë, por solli një model të shkrimit që i bëri hije gjithë letërsisë postmoderne. Ngjashëm me Thomas Mann-in që romanin e tij kapital, të cilin e kishte botuar në moshën 49-vjeçare, e kishte fokusuar vetëm në një sanatorium, Eco krejt rrëfimin e kishte fokusuar në një abaci mesjetare, ku ndodhnin vrasje misterioze, të cilat lidheshin me pjesën e dytë të Poetikës në të cilën Aristoteli kishte folur për komedinë, për komiken, për të qeshurit, që në Mesjetë ishte ndaluar me ligj ashtu si edhe libri mbi të qeshurën, me arsyetimin se e qeshura zhdukte frikën dhe pa frikë nuk mund të kishte besim: ligji bëhet i detyrueshëm përmes frikës, emri i vërtetë i së cilës është frika e Zotit. Dhe nga ky libër mund të shkrepë shkëndija e Luçiferit, që do t’i vinte prapë zjarrin botës mbarë: dhe e qeshura do të përcaktohej si art për të mposhtur frikën (…) nga ky libër mund të lindë synimi i ri e shkatërrimtar për të shkelur vdekjen me anë të kapërcimit të frikës (2012: 530).

Eco e kishte shkruar romanin duke iu referuar një libri të antikitetit racional, duke e minuar me të Mesjetën obskure dhe duke praktikuar poetikën postmoderniste, nëpërmjet së cilës i bën një rivizitim ironik të kaluarës historike, duke e artikuluar rrëfimin me një diskurs brikolar që prek të gjitha fushat e dijes dhe përshkruan deri në detaje mënyrën e jetesës mesjetare. Në këtë libër, që vjen si jehonë e mijëra zërave të mëparshëm, një vend të posaçëm e zë edhe doktrina e katër kuptimeve (literare, alegorike, morale, anagogjike), ku kapërcimi i secilit nivel kuptimor është dërrmues dhe çlirues, njëkohësisht. Doktrina e Dantes është si një platformë e romanit të Eco-s, i cili që në titull i referohet konceptit alegorik mbi Zotin. Derisa kisha ishte institucioni primar, kurse papa autoriteti më i lartë mesjetar, kuptohet që gjithçka në atë periudhë bëhej në emër të Zotit. Meqë alegoria ishte figura kryesore e Mesjetës, Dante në Komedinë hyjnore, e kishte paraqitur Zotin në formë trëndafili. Kështu, po t’ia zhveshim alegorinë, titulli i romanit Emri i trëndafilit mund të lexohet si Emri i Zotit. Në emër të Zotit, kundërshtohet shkenca, digjen librat, vriten njerëzit.

Biblioteka dhe Zoti

Një nga thëniet më të njohura të Eco-s është kjo: Ne jetojmë për librat. Ndërsa, një thënie më pak e njohur e tij, është ajo që bibliotekat mund të zënë vendin e Zotit. Një silogjizëm i ngritur mbi këtë paralele, do të ishte: Zoti është i gjithëdijshëm, gjithë dija është në libra, librat janë në bibliotekë, pra biblioteka është Zot. Për Eco-n, gjithçka kthehet në shenjë dhe dekodimi i shenjave çon në njohje të fenomeneve, rrjedhimisht bota e tillë mund të njihet vetëm duke u dekoduar.

Kjo dëshmohet edhe te Struktura e papranishme, që është një kërkim analitik nëpër kode e mesazhe, që relativizon gjithçka dhe thërret për vëmendje ndaj çdo gjëje: parulla, ambalazhe, postera etj. Vepra e tij semiotike insiston në faktin që njeriu jeton i rrethuar nga shenjat dhe misioni i tij është njohja e shenjave.

Për Eco-n, biblioteka ishte më shumë se ç’është kisha për besimtarin e krishterë. Derisa kisha për besimtarin është vetëm shtëpi e Zotit, për Eco-n biblioteka ishte vetë Zoti. Si njeri që jetonte brenda kësaj perëndie sui generis, ai përpiqej të depërtonte sa më thellë në mendjen dhe zemrën e Zotit, për ta njohur letërsinë, shkencën, jetën, veten. Pra, ai analizonte nga brenda. Njohja ishte obsesion dhe mision i tij. Me gjithë atë njohje që kishte, edhe sikur të mos kishte vokacion (talent), ai do të mund të bëhej shkrimtar i madh. Gjeniu është punë, thoshte Goethe. E askush s’mund të punonte më shumë se Eco. Për rrjedhojë, askush nuk ishte më gjeni se ai. Përfundimisht, postmodernizmi i refuzon autorët që kanë talent, por s’kanë dije.

Eco ishte lexues, studiues dhe shkrimtar i fiksuar. Si lexues, siç e dëshmon edhe në shkrimin mbi novelën Silvia të Gérard de Nerval-it, me libër në dorë kishte përshkuar rrugën e personazhit; si studiues, po ashtu, siç dëshmon te Gjashtë udhëtime nëpër pyjet narrative, kishte blerë një grumbull filmash pornografikë për t’i krahasuar me filmat artistikë dhe, pasi i kishte shikuar e studiuar, kishte ardhur në përfundimin se dallimi qëndronte jo te akti, por te koha; si shkrimtar, kur e shkruante Emrin e trëndafilit, dialogët i maste me gjatësinë e korridoreve, kur e shkruante Lavjerrësin e Fukosë shëtiste pas mesnate rrugëve të Francës, kur e shkruante Ishullin e ditës së djeshme shkonte dhe e kundronte detin për orë të tëra, ditë e natë. Krejt këto veprime të tij dëshmojnë për një shkrimtar obsesiv (të fiksuar), për një shkrimtar që jeton për hir të rrëfimit.

Vdekja e postmodernizmit

Postmodernizmi ka trininë e vet të shenjtë: Joyce (ati), Borges (biri), Eco (shpirti). Joyce i priu postmodernizmit, Borges e konsolidoi, kurse Eco e perfeksionoi (në formën dominante, pra në roman), prandaj edhe e përfundoi. Papërsosmëria është dëshmi për jetën, kurse përsosmëria, siç thotë Friedrich Schlegel, nënkupton vdekjen. Vdekja nënkupton jo vetëm kryerje, por edhe përkryerje, perfeksion.   

Eco, si në teori, ashtu edhe në praktikë, e perfeksionoi postmodernizmin, aq sa nuk mund të pretendohet të shkruhen romane më postmoderne se të tij. Kështu, vdekja e tij mund të shihet si vdekje e postmodernizmit. Në letërsi fundi i një poetike vjen herë si lodhje nga modeli, herë si përkryerje e modelit. Në rastin e postmodernizmit, vlejnë të dyja.

Është folur edhe para vdekjes së Eco-s për fundin e postmodernizmit, por tani, pas vdekjes së tij, për postmodernizmin mund të flitet vetëm si për një formacion që ka prodhuar vepra që tashmë i përkasin klasikës.

Nuk mund të mbyllej postmoderna, pa u mbyllur jeta e shkrimtarit të gjithëdijshëm të saj.

Post Scriptum

Një ditë qershori të vitit 2013, i hypa trenit nga Vjena për në Torino. Pushova pak çaste në Bolonjë, pastaj humba trenin në Milano, në fund u nisa për Torino. Profesori më i madh i Bolonjës ishte Eco, qytetari më i njohur i Milanos ishte Eco, studenti më i mirë i Torinos kishte qenë Eco. Derisa po prisja trenin për Torino, në stacion takova një italiane të sapodiplomuar që po përpiqej të hypte në tren me një valixhe të madhe. Ia mora valixhen dhe e ndihmova deri në kupé. Gjatë bisedës me të, më tregoi që sapo kishte mbaruar studimet për arkitekturë dhe që profesori i cili ia kishte dorëzuar diplomën në ceremoninë solemne, quhej Umberto Eco. E sapodiplomuara e papunë që po ikte drejt Francës, fliste gjithë mllef për politikanët italianë që e kishin bërë vendin e saj një tokë të pashpresë, ndërsa për profesor Eco-n fliste me dashuri të madhe dhe më tregonte se sa i afërt ishte ai me studentët, të cilët shpesh i shoqëronte në kafe, mjaft që ata t’i shkruanin një mesazh e t’i tregonin ku po e prisnin. Më tha se mund të më vinte në kontakt me të, por unë, ndryshe nga latinët që thoshin carpe diem (kape çastin), thashë me vete se nuk kanë hyrë ditët në thes, kështu që asaj i thashë se kur të vija herë tjetër, do ta takoja Eco-n patjetër, por jo kësaj here pasi që isha për ngut. Në Torino, ku Eco kishte mbrojtur tezën e doktoratës mbi Toma Akuinin, i  urova rrugë të mbarë studentes dhe u ndala për punë private. Një vit më vonë, i shkrova Linda Hutcheon-it të më jepte një adresë të Eco-s për ta realizuar një intervistë për revistën Symbol. Ajo ma dha adresën e një profesori italian që ishte i afërt me Eco-n dhe unë i shkrova atij. Por, përgjigja që mora, ishte dëshpëruese. Eco ishte i sëmurë dhe nuk pranonte të jepte intervista. Prita më shumë se një vit që shëndeti i tij të përmirësohej dhe, më në fund, më 2016, kur po bëhesha gati t’i shkoja në shtëpi e t’i merrja një prononcim, apo qoftë edhe një mallkim, pashë lajmin në The Times, që thoshte: Vdiq njeriu që dinte gjithçka

(Prishtinë, 2016)

Shopping Cart