RREZIKU NGA PANDEMITË E ARDHSHME

Intervistoi Ag Apolloni

Profesor Singer, nga viti 2019 jemi duke jetuar në një pandemi që ka origjinën nga kafshët. Cfarë mësimi mund të nxjerrim nga kjo sëmundje?

PETER SINGER: Të gjitha pandemitë, kjo dhe të mëparshmet, vijnë nga kafshët. Pandemia e gripit të derrit e vitit 2009 erdhi nga një fabrikë ferme dhe, po ashtu, ka pasur disa epidemi të rrezikshme të gripit të shpendëve në vitet e fundit. Ekspertët paralajmërojnë se fabrikat ferma janë një mjedis ideal për evolucionin e viruseve të reja që mund të transmetohen te njerëzit. Pra, për ta reduktuar rrezikun e pandemive të ardhshme, duhet t’i japim fund fabrikave ferma, që do të thotë ta reduktojmë ndjeshëm konsumin e mishit.

Pra, ju sugjeroni të ushqyerit etik?

PETER SINGER: Mbështetja ime për një dietë vegjetariane, ose më mirë akoma, vegane, bazohet në faktin se kafshët vuajnë kur rriten për treg, veçanërisht në fermat e fabrikës. Ngrënia e mishit gjithashtu kontribuon në përshpejtimin e ndryshimeve klimatike

I.B. Singer ka thënë “Nuk jam bërë vegjetarian për shëndetin tim, po për shëndetin e pulave”. Cilat ishin arsyet tuaja që u bëtë vegjetarian?

PETER SINGER: Të njëjtat arsye me ato të I.B. Singer-it (me të cilin, meqë ra fjala, nuk kam asnjë lidhje farefisnore). U bëra vegjetarian sepse mendoj se mënyra sesi i trajtojmë kafshët për t’i përdorur si ushqim është krejtësisht joetike.

Ernesto Sabato në romanin ‘Abadoni’, në disa faqe flet për benefitet e të qenit vegjetarian. Pasi i kategorizon kafshët barngrënëse si paqësore dhe ato mishngrënëse si agresive, konkuldon se mishi e turbullon arsyen dhe e bën agresiv konsumatorin. A mundet vërtet mosngrënia e mishit ta bëjë botën më paqësore?

PETER SINGER: Kjo është një ide e bukur, por unë nuk e besoj. Sabato gabon në lidhje me barngrënësit. A nuk i ka parë ai barngrënësit meshkuj si luftojnë për t’i pasur femrat e tyre? Ata nuk i kanë brirët kot.

Çfarë mund të thoni për ata që mendojnë se mosngrënia e mishit të kafshëve është një ekzagjerim?

PETER SINGER:  Ekzagjerim i çkafit? I përpjekjes për ta shmangur pjesëmarrjen në vuajtje? I kërkimit për ta minimizuar kontributin e dikujt në ndryshimin e klimës? I ndërmarrjes së hapave për ta reduktuar rrezikun e një pandemie tjetër, ndoshta më vdekjeprurëse se ajo që po e jetojmë? Nuk është e mundur të ekzagjerohen arsyet për t’i bërë të gjitha këto gjëra, sepse ato janë dërrmuese.

Një numër i madh njerëzish vdesin nga uria. Ku qëndron faji, apo shkaku, është kapitalizmi apo diçka tjetër? Dhe si mund të vihet në praktikë teoria juaj e “altruizmit efektiv”?

PETER SINGER: Për fat të mirë, përqindja e popullsisë së botës që vdes nga uria – dhe nga shkaqe të tjera të lidhura me varfërinë – ka rënë në mënyrë të dukshme gjatë tridhjetë viteve të fundit. Banka Botërore e përkufizon varfërinë ekstreme si mungesë të të ardhurave të mjaftueshme për të përmbushur në mënyrë të besueshme nevojat bazë. Në vitin 1990, 1.9 miliardë njerëz jetonin në varfëri ekstreme: në vitin 2018, pavarësisht se popullsia e botës u rrit për 2.3 miliardë, kishte 650 milionë. Kjo ishte ende shumë, natyrisht, dhe për fat të keq numri është rritur përsëri kohët e fundit për shkak të pandemisë dhe ngadalësimit ekonomik që ka shkaktuar ajo.

Rritja ekonomike ka qenë një faktor kryesor në rënien e varfërisë ekstreme, veçanërisht në Kinë. Altruizmi efektiv është ende shumë i vogël për të pasur një ndikim të rëndësishëm në varfërinë ekstreme, por ai tashmë po shpëton shumë jetë, po e parandalon verbërinë dhe po u mundëson njerëzve të punojnë për të dalë nga varfëria. Kjo po bëhet duke i inkurajuar njerëzit që të marrin vlerën më të mirë për çdo dollar që dhurojnë, ose për çdo orë që ata janë vullnetarë. Ata mund ta bëjnë këtë duke përdorur kërkimin e disponueshëm nga organizata si The Life You Can Save ose Give Well për të gjetur bamirësitë që përfitojnë më shumë për çdo dollar që shpenzojnë.

Milan Kundera thotë se kur Niçe në Torino e pa fshatarin duke e goditur kalin, e përqafoi kafshën, qau dhe iu lut ta falte që një koleg i tij (filozofi Dekart) shekuj më parë kishte thënë se kafshët nuk kanë shpirt. Si e shihni metaforën e kalit të Torinos?  

PETER SINGER: E admiroj ndjeshmërinë e Niçes për kalin. Në mënyrë të ngjashme, e admiroj ndjeshmërinë e filozofit dhe autorit afrikan Apuleius për gomarët, siç shfaqet në Gomarin e Artë, shkruar në kulmin e Perandorisë Romake, kur Marcus Aurelius ishte perandor. (Kjo është arsyeja pse sapo kam botuar një botim të ri, shpresoj më të lexueshëm, të këtij romani të hershëm të lënë pas dore.)

A është filozofia juaj një solidaritet niçean ndaj kafshëve, një kërkesë për falje për atë që kemi bërë dhe vazhdojmë t’u bëjmë atyre?

PETER SINGER: Jo, aspak! Qasja ime etike ndaj kafshëve rrjedh nga filozofia e Jeremy Bentham, John Stuart Mill dhe Henry Sidgwick – me fjalë të tjera, utilitarianët e mëdhenj të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Nuk ka asgjë niçeane në asnjë aspekt të filozofisë sime.

Një herë, duke nxjerrë shembuj mbi njerëzit, majmunët dhe guacat e detit, keni verejtur se ndarja mes kafshës dhe njeriut është e gabuar, që s’mund të ndahet arbitrarisht, pasi një majmun i ngjan njeriut më shumë se guacave, megjithëse vendoset në të njëjtën kategori me këto të fundit. A ka ndonjë kufi, a është njeriu një kafshë më e avancuar, apo thjesht një kafshë që rrezikon kafshët e tjera?

PETER SINGER: Ne jemi kafshë, me aftësi njohëse që i kalojnë shumë ato të kafshëve të tjera. Dallimi nuk është arbitrar. Është më shumë ndryshim i shkallës sesa i llojit.

Idetë tuaja për trajtimin e kafshëve janë të njohura dhe të pranuara, ndërsa idetë për abortin dhe vrasjen selektive të foshnjave kanë shkaktuar reagime të fuqishme. Ju e keni justifikuar këtë duke thënë se fëmijëve të tillë u mungon personaliteti dhe na keni kujtuar se një çështje e tillë është diskutuar që nga lashtësia, në shoqërinë spartane.

PETER SINGER: Unë nuk e marr Spartën si model, por është e vërtetë që pyetja se si t’i përgjigjemi lindjes së foshnjave me aftësi të kufizuara të rënda është një pyetje që është debatuar për mijëra vjet, dhe jo vetëm në traditën kulturore perëndimore. Nëse e përkufizojmë një “person” si një qenie që është e vetëdijshme për ekzistencën e vet, si një entitet i veçantë, me kalimin e kohës, atëherë është e vërtetë që foshnjat e porsalindura nuk janë persona. Natyrisht, kjo nuk i përgjigjet pyetjes nëse, apo kur, është e gabuar të vrasësh qenie njerëzore që nuk janë persona.

Ju vini nga prindër hebrenj që mezi i shpëtuan regjimit të Hitlerit (një regjim që ishte jo vetëm gjenocidal për hebrenjtë, por kreu edhe infanticid duke vrarë fëmijë me sëmundje mentale), dhe jeni akuzuar nga protestuesit gjermanë si një “vrasës i fëmijëve”. Mbi cilat parime morale e mbështetni qëndrimin tuaj?

PETER SINGER: Në rastin e foshnjave të lindura me aftësi të kufizuara (rastet e rënda), nuk është gjithmonë në interesin më të mirë të foshnjës, ose prindërve, ose fëmijëve të tyre paraekzistues, që foshnja të jetojë. Natyrisht, foshnja nuk është në gjendje të vendosë. Unë do t’ua lija këtë vendim prindërve, ashtu siç ne tani i lejojmë prindërit të vendosin, në konsultim me mjekët e tyre, nëse do ta fikin ventilatorin që mban gjallë fëmijën e tyre me aftësi të kufizuara.

Gjithashtu, ju jeni një mbështetës i eutanazisë. Cilat parime apo motive ju shtyjnë të mbështesni një vendim të tillë?

PETER SINGER: Mbështetja ime për eutanazinë vullnetare bazohet në pikëpamjen time se është e gabuar t’i detyrosh njerëzit të vuajnë kur janë të sëmurë në mënyrë të pashërueshme dhe nuk dëshirojnë të vazhdojnë të jetojnë.

Në Greqinë e lashtë, pasi u akuzua për përhapjen e ateizmit tek të rinjtë, Sokrati u detyrua të pinte helmin. Si ia keni dalë ju ta shmangni helmin pas akuzave kundër jush në media, shkolla apo sheshe?

PETER SINGER: Fatmirësisht, ka pasur përparim moral që nga koha e Sokratit!

(Botuar në numrin 22 të revistës Symbol, të cilën e boton Bard Books)

Peter Singer (1946) është filozof australian, aktualisht profesor i Bioetikës Ira Ë. DeCamp në Universitetin Princeton. Ka specializuar në etikën e aplikuar dhe trajton çështjet etike nga një këndvështrim laik, utilitar. Ka qenë shef i departamentit të filozofisë në Universitetin Monash, ku ka themeluar Qendrën për Bioetikën Njerëzore. Sot konsiderohet si një nga intelektualët më me ndikim publik. Disa nga veprat e tij përfshijnë: Demokracia dhe mosbindja (1973), Liria i kafshëve (1975), Etika praktike (1980), Rrethi që zgjerohet: etika dhe sociobiologjia (1981), Jeta që mund ta shpëtosh: vepo tani për t’i dhënë fund varfërisë botërore (2009) etj.  

Shopping Cart