Ag Apolloni: Njeriu i shiut

Ka kaq ditë,
kaq javë,
kaq muaj
që mban mot i thatë.

Rri në dritare dhe lutem për shi

Shikoj fëmijët që ngucen,
të rriturit që nguten,
qentë endacakë që enden për një asht.

Krejt bota është jashtë.

Veç unë brenda rri
dhe kryej ritualin e lutjes.

Por
nëse një ditë do të bjerë shi,
unë do të dal pa ombrellë
dhe do të shkoj të ulem në stolin e lagur në park,
nuk prish punë nëse shiu deri në palcë më lag.

Nëse rastësisht andej
kalon ndonjë këmbë njeriu,
le të mendojë se pikat në fytyrën time
janë thjesht pika shiu.

Shopping Cart