Bisedoi: Eronita Kqiku
Libri juaj “Lindur së prapthi” pati një rrugëtim të mbarë. Duke qenë se njiheshit si poete, si vendosët ta hidhnit hapin në prozë dhe a ndiheni e kompletuar tani që jeni dhe prozatore?
RITA PETRO: Me thënë të drejtën, asnjëherë nuk kam menduar se do të shkruaja në prozë. Gjithçka erdhi kaq natyrshëm edhe përmes librave të mi të mëparshëm. Nëse në librin e parë Vargje të përfolura dallojnë lirikat me një frymë më së shumti, romantike, por dhe në formë esencash për filozofinë e jetës e të dashurisë, në librin Shija e instinktit dhe në librat e tjerë poetikë këto tema sillen përmes një shprehije më moderne, ku çdo qelizë e jetës individuale e shoqërore sillet përmes një këndvështrimi të ri estetik, dhe një ndjeshmërie që nxitet nga instinkti. Në librin Vrima shumë spontanisht kalohet nga ciklet poetike të librave të mëparshëm në një poemë rrëfimtare, ku gërshetohet epizmi me lirizmin. Fragmentet poetike lidhen me një fill logjik dhe rrëfejnë jetën njerëzore që nga lindja, kalimin në lulëzim (ekstazë) e deri në vdekje. Në këtë libër përvec poezisë, ka dhe elemente të ligjërimit në prozë, eseistik, filozofik. Pra, kisha një parapërgatitje për kalimin në prozë.
Ndërkaq e ndieja brenda vetes se kisha më shumë për të thënë për jetën time, e cila e ka kaluar gjysmën e shekullit. Unë kam jetuar në dy periudha që ngërthejnë brenda vetes ngjarje të rëndësishme si kriza e fortë e viteve të komunizmit, rënia e diktaturës, tranzicioni dhe demokracia me të gjitha dukuritë negative që bart nga e kaluara. Dhe e ndjeva se këto duhet t’i rrëfeja në prozë.
Nga ana tjetër sigurisht vërtet e ndiej veten të kompletuar me prozën. Ndihem shkrimtare, jo vetëm poete.
Sa dallojnë proza dhe poezia në përcjelljen e emocionit apo dhe të informacionit?
RITA PETRO: Unë nuk e kam ndjerë ndonjëherë veten të aftë për të rrëfyer ngjarje, gjatë të cilave personazhet gjenden përballë konflikteve që duhet të zgjidhen. Kam shkruar poezi, por edhe për ato kam pritur castin e frymëzimit, për të sjellë një ndjesi të re dhe imazh estetik të ri. Poezia është koncentrat mendimi, ndjesie, imazhi. E ndiej që jam e mirë apo e prirur ndaj kësaj magjie. Ndërsa proza kërkon edhe hulumtim, për shkak se sjell informacion përmes rrëfimit. Prozatorit i lypset të jetë më sistematik se sa poetit, dhe kjo mua më vjen më për shtat si natyrë.
Lexuesit e duan prozën, rrëfimin. Poezinë e duan, por jo në libra të mbushura me plot poezi. Se një poezi e mirë është si të lexosh një ese apo një roman të tërë. Dhe leximi i poezisë kërkon kohë e përqëndrim, si dhe meditim pas leximit të saj.
Romani juaj ka shumë elemente autobiografike. Sa e vështirë ishte të kthehej jeta në vepër?
RITA PETRO: As unë vetë nuk di të përcaktoj një kufi mes ngjarjeve të jetës sime dhe ato të personazhit femër në këtë roman. Por do të thosha, se nuk janë aq ngjarjet, se sa rrëfimi i sinqertë i fëmijës-vajzë, që në shfaqjen e mendimeve dhe të ndjesive është vetë Rita. Kam patur një bashkëbisedim të thellë, gati gati magjik me Ritën e vogël. Kam qarë e qeshur bashkë me të. Kam zbuluar te ajo ndjesi të fshehura aq thellë në shtresat e kujtesës, që shpesh i quajmë të turpshme. Por kur i nxjerr në dritë e kupton se frika jotë paska qenë e kotë. Janë ndjesi të natyrshme, njerëzore. Të gjithë dyhet t’i clirojmë këto frikëra dhe cili më mirë se arti shërben për këtë gjë. Kalimin nga një libër autobiografik në një roman e bën pikërisht stili i rrëfimit të personazhit fëmijë deri në atë moshë që mund të quhet e rritur. Ky personazh do të përballët me ngjarjet e kufizimet apo krimet në kohën e komunizmit, të cilat fillimisht I gjykon përmes këndvështrimit të prindërve, më pas përmes propagandës në shkollë e kur rritet, kupton gjithcka dhe ka gjykimin e vet mbi botën. Kam patur vështirësi në seleksionimin e kujtimeve, pasi jo cdo kujtim përbën tharmin për një rëfim artistik. Gjithashtu, vështirësi kam patur pasi doja që fëmija apo vajza e re t’i shprehte mendimet e ndjesitë sic i ka menduar në atë kohë, jo nga interpretimet e sotme të autores.
Cilët shkrimtarë dhe filozofë e kanë formuar vajzën që ecën së prapthi?
RITA PETRO: Personazhin e kanë frymëzuar përrallat. Kushdo që e lexon romanin e kupton që personazhi i frymëzuar nga përrallat, bën shumë veprime, të cilat i mundësojnë asaj liri në të menduar dhe të vepruar. Por nga ana tjetër, e kanë formësuar për të dalluar të mirën nga e keqja, të bardhën nga e zeza, si dhe i kanë zhvilluar imagjinatën për ta parë botën jo në lartësinë e syve të saj, por nga poshtë-lart, ku më së shumti ka mundësi të shohë qiellin dhe jo tokën e të fluturojë atje për t’i ikur botës hipokrite të të rriturve. Ndërsa si shkrimtare pa përmendur emra do të thosha të gjithë klasikët dhe ata më të vonshëm modernët që kanë bërë epoka letrare. Filozofia antike greke ka qenë një frymëzim i madh për mua, sikurse dhe arti i asaj kohe të artë. Dhe frymëzim i madh ka qenë treshja Freud, Jung, Spielrein.

Ju keni shkruar poezi si “Vrima”, “E dashura e babait”, që trajtojnë tema tabu e jo të lehta për t’u diskutuar. Si e shihni rolin e poezisë në sfidimin e normave të ngurta shoqërore dhe nxjerrjen në pah të të vërtetave të vështira.
RITA PETRO: Më pëlqen shumë që poetin ta krahasoj me figurën e Krishtit, i cili u kryqëzua për dashurinë ndaj njerëzimit. Ai u kryqëzua duke marrë mbi vete mëkatet e të tjerëve. Sigurisht poeti është një qenie njerëzore dhe ka mëkatet e tij, por ai nuk mund ta luftojë të keqen duke e nxjerrë veten të përsosur e pa asnjë njollë dhe duke treguar gishtin te e keqja. Përkundrazi poeti ka mundësinë të shprehet në vetën e parë, duke i bërë kështu skanerin trupit e trurit të vet. Kështu ai bëhet i besueshëm për lexuesin. E trondit atë, por dhe e pastron, sigurisht atë që dëshiron të bashkëbisedojë me veten e të jetë i hapur ndaj katarsisit prej artit të fjalës. Një temë si tradhtia (E dashura e babait), e meriton vëmendjen e saj për t’u trajtuar në art, jo vetëm si një mëkat i rëndë prej opinionit shoqëror, por edhe si emocion, ndjesi e munguar, që mund të sjellë dhe lumturi te ata që e kryejnë. Apo tema erotike (Vrima) që shfaqet në poezinë time me gjithë vulgaritetin që mund të ndodhë në jetën e përditshme, e nga ana tjetër, si akt madhështor i kënaqësisë fizike e shpirtërore, por dhe si akt krijimi. Njerëzit i trondit ajo, që u duket sikur ti ua përplas në fytyrë se ky akt fizik shpesh bart dhe elemente të instinktit kafshëror.
Liria që në letërsinë tonë është kryesisht nacionale, te ju është personale. Çka është liria për një poete?
RITA PETRO: Sa më pëlqeu ky konstatim! Jemi edukuar si popull pavarësisht trevave ku kemi jetuar se sa e rëndësishme është liria nacionale. Dhe pa dyshim është. Por nga ana tjetër, kjo na ka bërë më shumë patetikë e deklarativë në art. Dhe më pëlqen shumë që arti bashkëkohor ka kohë që i ka ikur patetizmit. Liria personale është ajo që na bën të jemi, por dhe të mos jemi në rresht me cdo grupim, le ta quajmë turmë apo popull.
Në krijimtarinë time individi/grua kalon përmes disa etapave, nga të qenit pjesë e energjisë së Zotit, ku liria është e pakufizuar në qenie njerëzore, që duhet t’i përshtatet gjithë rregullave e konvencioneve shoqërore. Ky individ kalon nëpër disa duar që do t’i emërtoja si institucioni familjar, shkollor, politik, fetar, ai i drejtësisë në kërkim të lirisë individuale. Kur e sheh se të gjithë duan ta mbysin me një moral të rremë, ajo merr fëmijën si kanguri në marsup dhe niset në shkretëtirë në kërkim të një liqeni me ujë të kulluar, në kërkim të lirisë së vet.
Gjetja e ekuilibrit mes lirisë personale dhe rregullave shoqërore pa humbur nga vetvetja, për mua është celësi i artë për një jetë të lumtur.
Poezitë tuaja janë të njohura për itensitetin dhe ashpërsinë emocionale. Si i ekuilibroni përvojat personale dhe temat universale për të krijuar lidhjet me lexuesit.
RITA PETRO: E vërtetë, në artin tim jam shumë e ashpër, veçanërisht me botën arrogante mashkullore, të cilën e quaj se nuk vepron me tru, por me një penis qorr. Jam e ashpër me moralin e gënjeshtër që krijoi tabunë se nderi qëndron te besa, por harroi se besa mund të shndërrohet në një tumor brenda trupit. Dhe po nuk u hoq ky kancer, shoqëria degradon. Jam e ashpër me patetikët që duan ta kthejnë nostalgjinë në sistem të jetuari, duke u shkëputur nga cdo gjë e re që ecën me shpejtësi sot në shoqërinë njerëzore. Kjo lloj ashpërsie, kur shndërrohet në stil mendoj se e mban artin tim të lidhur edhe me të rinjtë. Dhe kjo gjë më bën të lumtur. Kështu jam dhe në jetën që bëj, e lirë. Kjo më bën të besueshme te lexuesi i çdo lloj moshe.
Vepra juaj e provokon lexuesin. A është provokimi një mjet i domosdoshëm për ju si krijuese apo vjen instinktivisht?
RITA PETRO: Asnjëherë nuk kam menduar që ta shkruaj këtë poezi apo ta vë këtë titull për të provokuar lexuesin. Shumë shkrimtarë e bëjnë, por kur është i sforcuar provokimi, nuk ndodh asnjëherë ai vullkan sulmesh ndaj lirisë së fjalës, sic më ka ndodhur mua, apo shumë shkrimtarëve në botë që janë quajtur të rrezikshëm, madje dhe janë dënuar për këtë. Arti ka lindur për të provokuar, për t’u futur në ato thellësi njerëzore, ku nuk mund të futët as shkenca dhe as filozofia. Prandaj njihet roli i madh i artit në emancipimin e shoqërisë.
Ju keni marrë pjesë edhe në emisione televizive ku trajtohen tema feminist. E shihni veten si autore feminist apo letërsia dhe angazhimi juaj social duhen parë ndaras?
RITA PETRO: Me thënë të drejtën kur shkruaj nuk e mendoj fare pjesën e angazhimit, apo temat që lidhen me feminizmin. Por dua apo s’dua unë ato dalin vetë spontanisht. Në qendër të artit tim është gruaja që lufton cdo ditë të jetës për lirinë, dashurinë, të cilat e bëjnë atë të lumtur. Po kështu dhe sensualiteti i femrës del në një këndvështrim të hapur. Gruaja shihet në kompleksitetin e vet, duke iu kundërvënë arrogancës dhe dhunës mashkullore, por nga ana tjetër ajo i thur himn harmonisë me botën mashkullore. Babai, burri, i dashuri, janë një trekëndësh ku ajo kërkon lirinë, por dhe lumturinë. Po kështu ajo i drejtohet turmës apo më saktë opinionit të ngurtë shoqëror: Ja ku më keni/lakuriq para jush/duke kënduar bukurinë e frikës nga mëkati/kundër frikës që na mban mbërthyer në vend. Kështu, pra mesazhet për emancipim apo temat feministe janë shumë të dukshme në artin tim. Arti më ndihmon shumë të jem e hapur edhe në angazhimin tim social. Po jo thjesht si një femniste ekstreme që e sheh botën bardh nga ana e femrave dhe zi nga ana e meshkujve. E kam ndjerë se njerëzit duan të më shohin të pranishme në emisione televizive. Është diçka e mrekullueshme të marrësh statusin: Gruaja që thyen tabu.
Duket që në shoqërinë e digjitalizimit janë shuar veprimtari të ndryshme duke u zëvendësuar nga robotë, kompjuterë dhe inteligjencë artificiale. Ju jeni dhe botuese. Në raportin libër-lexues dhe shkrimtar-inteligjencë artificiale, a mendoni që libri dhe shkrimtari po zëvendësohen?
RITA PETRO: Në këtë rast ju po flisni për manipulatorët. Gjithnjë e në cdo kohë ka patur manipulatorë e mashtrues edhe në fushën e letrave, ndonëse nuk ekzistonte teknologjia. Varet nga zgjedhja që bëjmë. Të jemi shkrimtarë prej mishi e gjaku dhe e tillë të jetë dhe letërsia jonë, apo robotë të ftohtë që shkruajmë pa vënë në punë trurin dhe shpirtin tone?! Teknologjia e ka bërë botën sa të bukur e komode, aq të frikshme. Por ajo nuk punon po nuk e përdorëm ne njerëzit. Dhe këtu ndahen rrugët e secilit prej nesh.
Gjithashtu jeni bashkautore e shumë librave shkollorë për gjuhë dhe letërsi shqipe. Shtëpia juaj botuese dallohet për botimet e librave për fëmijë dhe për libra shkollorë. Deri më tani fëmijët janë rritur duke komunikuar në gjuhën amtare (shqipe). Sot vërehet tendenca e fëmijëve të komunikojnë në anglisht, sidomos mes vetes. Si mendon që mund të zgjidhet ky problem me gjuhët e vogla në përgjithësi dhe për gjuhën shqipe në veçanti?
RITA PETRO: Kjo është normal një tendencë që vihet re sidomos në vendet si ne. Por është kthyer si prirje në të gjithë botën, pasi anglishtja është kthyer në gjuhë komunikimi. Dhe prindërit shqiptarë është normale të kujdesen që fëmijët e tyre ta zotërojnë mirë që të vegjël anglishten. Ajo që nuk më është dukur normale dhe që nuk e kam vënë re në shtete të tjera është që kur të dy prindërit janë shqiptarë dhe u flasin fëmijëve anglisht. Aq më keq kur këto familje jetojnë në vendin e tyre ku flitet shqip. Është një tendencë më tepër snobiste. Gjuha e nënës është identitet, po kjo e thënë jo në mënyrë deklarative. Është gjak, shpirt që e merr në format më të natyrshme dhe nuk duhet t’ia mohojmë fëmijës sonë një gjë të tillë. Është e drejta e tij. Siç është e drejta e tij të arsimohet dhe të mësojë edhe gjuhë të tjera, në varësi të nevojave dhe dëshirave të tij gjatë jetës.
Në romanin tuaj shkruanit që kishit filluar të friksoheshit nga rritja. Po tani, Rita e rritur, si do t’i këshillonte lexuesit dhe shkrimtarët e rinj?
RITA PETRO: Kur shkruaja Lindur së prapthi e rikuptova se sa e rëndësishme është familja dhe shoqëria në rritjen e fëmijëve. Rregullat shoqërore që mund të jenë të mira në një kohë, shumë shpejt duhen rinovuar. Bëhuni pjesë e këtij rinovimi, guxoni të parët; do të fitoni jo vetëm për vete, por do frymëzoni dhe të tjerët, pavarësisht rreziqeve nga sfidat.




